Emri i tij i plotë spanjoll është Marselino Garsia Toral dhe jeta futbollistike nuk i buzëqeshi aspak. Djaloshi i lindur në 1965, që luajti si mesfushor, provoi shumë pak shijen e së famshmes La Liga, diçka më shumë Segunda Divizionin, por dëmtimi e detyroi t’i jepte fund karrierës në moshën 28-vjeçare.
Siç thotë populli, “çdo e keqe mund të dalë për mirë”, dhe Marselinos i doli për mirë që nisi profesionin e trajnerit vetëm 31 vjeç. Pasi kaloi “stazhin” dhe “karantinën” me skuadra të tilla si Lealtad, Sporting B, Sporting Gihon, Rekreativo Huelva, ai nisi të ngjitej ngadalë me Santanderin, Saragozën, sërish Santanderin për të arritur tek Sevilja. Më pas, 3 sezone të respektueshëm tek Vijarreali, ndërsa tani po bën mrekulli tek Valencia.
Skuadra e klubit që ishte në prag të falimentimit, e ka kthyer mbarë rrotën e fatit dhe tani është në vend të dytë në La Liga, 6 pikë mbi superfuqitë e Madridit, Real e Atletiko, dhe 4 pikë poshtë Barcelonës. Javën që vjen luajnë në fushën e tyre ndaj Barçës dhe nëse fitojnë, diferenca bëhet -1. Nën drejtimin e tij, italiani Simone Zaza po hakmerret ndaj klubit anglez Uest Hem, që e nxorri të padobishëm. Zaza ka shënuar gola thuajse sa gjithë Uest Hemi këtë sezon.
Marselino është manjak i dietës dhe regjimit dhe lojtarët e tij thuajse janë të pangopur. Edhe familjeve u bëhen telefonata për të imponuar rregullat në shtëpi, dhe rezultatet po shihen, me 9 fitore në 12 ndeshjet e para të kampionatit. Përpara Marselinos, Valencia provoi 13 trajnerë për një kohë të shkurtër, tani nuk besohet të ketë nevojë për kaq shumë ndryshime.
Sfidanti.al