Vllaznia e fitoi ndeshjen e prapambetur në Superligën shqiptare ndaj Lushnjes, të luajtur në stadiumin e saj, “Loro Boriçi”. Skuadra shkodrane mori tri pikë shumë të vlefshme pas suksesit 2-1, duke iu shkëputur disi vendit të fundit, por duke mbetur sërish shumë e rrezikuar për të rënë në Kategorinë e Parë.
Shkodranët kaluan shpejt në epërsi, që në minutën e 5-të, me anë të kapitenit Gilman Lika, ndërsa në minutën e 27-të, dyfishuan rezultatin. Olsi Gocaj shfrytëzoi një 11-metërsh të akorduar nga gjyqtari për të shënuar golin e dytë dhe me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë.
Gjithsesi, pas pushimit Lushnja reagoi duke shkurtuar diferencën me anë të Metos dhe duke synuar të merrte edhe barazimin. Vllaznia e trajnerit Ernest Gjoka arriti të mbahej dhe u ngjit në kuotën e 9 pikëve, baraz me ekipin e vendit të parafundit, Luftëtarin.
Sfidanti.al