Viti 1975 nuk ka qenë mesjetë për Europën, padyshim as për Austrinë. Veçse, ja që nga ato që tregohen tani, tmerret paskan qenë të shumta. Tronditje e jashtëzakonshme pas rrëfimit të një ish-kampioneje të skive alpine, austriakes Nikola Verdenig, e cila akuzon se u përdhunua nga një shok i skuadrës, dhe se këto abuzime seksuale ishin “normë”. Verdenig doli e katërta në Lojrat Olimpike të vitit 1976 në Insbruk, në garën e zbritjes së lirë, veçse një vit më parë kishte kaluar traumën e jetës.
“U përdhunova në moshën 16-vjeçare nga një shok i skuadrës, – tregon ajo, – abuzimet seksuale ishin normë dhe asnjëra prej nesh nuk mund të bënte asgjë”. E përkthyer më shqip, kjo do të thotë se edhe shoqëria sportive (apo më gjerë, krejt shoqëria) austriake ishte e nivelit maskilist, duke shkelur me këmbë të drejtat e femrave.
Historia na ndihmon ta vërtetojmë këtë. Edhe pse femrat në Austri fituan të drejtën e votës relativisht herët, në 1919 (në Francë vetëm në 1945), pozicioni i femrës ka qenë shumë i ulur. Deri në vitet 70-të (kur duhet të kenë ndodhur përdhunimet), gratë kishin të drejta të pabarabarta në martesë, ndërsa tradhëtia bashkëshortore e femrës u hoq si krim vetëm në 1997, ndër shtetet e fundit europiane që e bëri.
E shkreta Nikolë dhe shoqet e saj, paskan qenë brenda normës që qenkan përdhunuar!
Sfidanti.al