Tavekio e Ventura ikën, por hallet e Italisë mbetën!

Igli Tare ua tha mirë. “Kur isha në Gjermani, në vitet 90-të, ata po kalonin këtë situatë si ju tani, punuan me sektorin e të rinjve dhe ja ku arritën”, – ishin fjalët e drejtorit sportiv të Lacios. Në Itali, tema e ditës është largimi i presidentit të Federatës, Tavekio, dhe më përpara ajo e komisarit teknik të kombëtares, Ventura. Gjithkush e di se edhe pse mund të jenë fajtorë, largimi i tyre nuk do të zgjidhë ndonjë gjë të madhe.

Ironia në rrjet ka qenë e jashtëzakonshme, me foto, mbishkrime për dyshen që dështoi, ndonëse presidenti i Komitetit Olimpik, Malago, e shprehu shumë qartë gjendjen. “Kur diskutuam me Tavekion dhe Lipin për trajnerin e ri pas Kontes, – tha ai, – alternativat ishin vetëm Ventura, De Biazi dhe Montela, ndërsa shpresat për Donadonin apo Spaletin nuk u realizuan”. Jo vetëm që trajnerët e tjerë italianë ishin të zënë (Konte, Ançeloti, Alegri, Spaleti, Mançini, ndërsa Sarri nuk ishte bërë ende aq shumë i njohur), por edhe futbollistët në fushë nuk ishin më ata të dikurshmit.

Nëse në 1982 në fushë ishin Kabrini, Shirea, Xof, Tardeli, Konti, Graciani, Antonioni apo Paolo Rosi, në 2006 në Gjermani triumfuan Bufon, Nesta, Toti, Del Piero, Gatuzo, Kanavaro, Inzagi, De Rosi apo Pirlo, këtë herë kishin mbetur shumë pak. Ose të vjetër si Bufon, De Rosi, Barxali, Bonuçi e Kielini, ose jo me “staturën” e duhur si Insinje, Kandreva, Parolo, Imobile apo Beloti.

Kjo, ndoshta është arsyeja që Karlo Ançeloti po lëkundet dhe mund të mos pranojë të drejtojë Italinë, dhe po ashtu edhe Konte, Alegri apo Sarri i rrinë larg të kaltërve. Siç thotë Tare, italianëve do t’u duhet kohë për të marrë veten.

Sfidanti.al