Çdo trajner do të donte të kishte dilemat e Pep Guardiolës!

E vërtetë, pasi shprehja tipike e një trajneri është “kush është ai qorr që nuk do sy”. Në Shqipëri e përdor “xhaxhi” Farruk Sejdini, ndërsa në botë ndoshta njihet me fjalë të tjera, po thelbi është po ai, secili trajner do të donte të ishte në pozitat e Pep Guardiolës, që na paska një dilemë. Strategu i Mançester Sitit ka hallin e madh se nuk mundet, në kushtet aktuale, të aktivizojë njëkohësisht dy “margaritarët” e sulmit, Kun Agueron dhe Gabriel Zhezusin.

“Thembra e Akilit” është dëmtimi i francezit të marrë nga Monako, Benzhamin Mendi. “Nuk mundem t’i hedh në fushë që të dy njëkohësisht, – thotë Pepi, – do të jem i detyruar që, derisa të kthehet Mendi, të bëj rotacion, një javë Agueron, një javë Zhezusin”. Nëse mbrojtësi i majtë nuk do të ishte dëmtuar në shtator, trajneri kishte parashikuar skemën 4-4-2, ndërsa në mungesë të tij, do të luajë me 4-2-3-1, pasi të tilla janë karakteristikat e lojtarëve. Shqetësimi më i madh për Guardiolën është fakti se Mendi do të kthehet vetëm në prill, pra thuajse gjithë sezoni do të kalojë me rotacion, dhe ndoshta me ndonjë pakënaqësi.

Sfidanti.al