Tradita vazhdon dhe sporti shqiptar sërish i mbetet borxh peshëngritjes. Erkand Qerimaj dhe Daniel Godelli ishin kampionët e radhës që siguruan sukses ndërkombëtar, duke fituar medalje në kampionatin europian në Split të Kroacisë. Qerimaj, ish-kampion i Europës, këtë herë “u mjaftua” me medaljen e bronzit në dygarësh si dhe me medaljen e argjendit në stilin e shtytjes. Godelli medalje ari në shkëputje, pra paraqitja e dyshes shqiptare në peshën deri 77 kg ishte shumë e mirë.
Fillimisht, ishte Godelli që mori arin në shkëputje me tentativën e fundit, me 161 kg, ndërsa Qerimaj nuk shkoi më larg se 155 kg. Në shtytje, rolet u ndryshuan.Godelli ngriti 186 kg, por më pas dështoi në dy provat e tjera. Qerimaj e filloi keq, duke humbur provën e parë me 188 kg dhe të dytën me 190. Si kampion i vërtetë, kërkoi maksimumin për të luftuar për titullin kampion të Europës. Ngriti 193 kg dhe nuk e mori dot medaljen e argjendit në dygarësh vetëm për 100 gram peshë trupore. Lavdinë e pati rumuni Dumitru Kaptari, me 360 kg gjithsej, madje duke garuar në baterinë B. Godelli e mbylli i katerti me 347. Gjithsesi, Qerimaj fitoi argjentin në shtytje me 193 kg.
Sfidanti.al