Pushteti 20-vjeçar i Dukës në futboll, nga akuzat tek “minimi” i rivalëve!

“Asgjë nuk bëhet pa vullnetin e presidentit”. Kështu u shpreh jashtë kamerave Armand Duka pas vendimit të UEFA-s në favor të Serbisë, në vijim të skandalit të Beogradit. Ky opinion për fuqinë e Mishel Platinisë në UEFA, e tregon më së miri pushtetin e kreut të Federatës Shqiptare të Futbollit mbi institucionin që ai drejton. Jo më kot, shprehja është se “pushteti korrupton, ndërsa pushteti absolut korrupton në mënyrë absolute”.

Natyrisht, krahasimet çalojnë, por padyshim prej 20 vitesh, biznesmeni nga Shijaku dominon FSHF-në, dhe pretendon mandatin e gjashtë. Ky sundim ka ndëshkuar ata që i janë kundërvënë, dhe jo më kot ka pasur përplasje me Partizanin apo Flamurtarin. Ish-trajneri i të kuqve, Sulejman Starova, sot kandidat për president, akuzoi hapur në 2017, se donte të fundoste Partizanin. Ekziston dyshimi se edhe përjashtimi i Kamzës nga Superliga erdhi pas qendrimit kundër në Asamblenë e kaluar zgjedhore.

Akuzat nga kundërshtarët, që kanë qenë me radhë Bushati, Haxhiaj, Kaçaj, Vata, Halili apo i ndjeri Fino, kanë qenë dhe mbeten që ka konflikt interesi për shkak të lidhjeve të biznesit me futbollin. Artan Shyti, prorektor në Universitetin “Marin Barleti”, nënkupton se pozita në krye të Federatës sjell përfitime të mëdha. “Në politikë ne e dimë se ndahem poste dhe ka përfitime, por që të bëhet kjo luftë e ashpër në futboll, ku postet janë vullnetare, kjo është e habitshme”, – thotë ai.

Duka ka marrë masat për të shmangur ndonjë rival të rrezikshëm potencial nga jashtë, duke votuar ndryshime të statutit. Një nen i miratuar vjet kërkon që kandidati për president të jetë me banim të përhershëm në Shqipëri. Nuk dihet se cilët mund të jenë rivalët nga jashtë, por janë përfolur Igli Tare, Besnik Hasi apo edhe Eduard Dervishaj, ish-sekretar i Federatës. Ish-sekretari i përgjithshëm i Federatës, Prodani, thotë se klubet kontrollohen nëpërmjet ligës. “Liga financohet nga Federata, – thotë ai, – unë nuk e di sesi mund të ketë pavarësi kështu, kjo mund të quhet pavarësi e subvencionuar”.

Asambleja është e përcaktuar për t’u zhvilluar në 2 mars, por konfliktet gjyqësore mund ta vonojnë. Duka kërkon mandatin e gjashtë, ndërsa në Europë kemi vetëm një shembull të tillë, ish-presidentin e Federatës Spanjolle të Futbollit, Angel Maria Vijar, i cili u detyrua të largohej vetëm pasi ndërhyri drejtësia.

Sfidanti.al