PSG fiton titullin në Francë

Paris Saint-Germain ka siguruar matematikisht titullin kampion në elitën e futbollit francez për sezonin 2024/2025. Fitorja minimale ndaj Angers, pas golit të shënuar nga Daesire Doue, vulosi gjithçka. Me këtë triumf, PSG jo vetëm që shton një tjetër trofe në palmaresin e pasur, por gjithashtu shkruan historinë duke u bërë skuadra e parë në elitën franceze që nga sezoni 1994/1995 që mbetet e pamposhtur në 28 ndeshjet e para të kampionatit.

Atmosfera në kryeqytetin francez ishte elektrizuese që në fillim, me tifozët e zjarrtë të parisienëve që prisnin momentin e shpalljes zyrtare të titullit të 13-të në historinë e klubit. Me këtë sukses, PSG e mbyll çështjen e titullit gjashtë javë para fundit të kampionatit, duke konfirmuar dominimin e padiskutueshëm në futbollin francez. Luis Enrique, në sezonin e tij të dytë në krye të klubit, ka arritur të krijojë një skuadër të balancuar, me një sulm vrastar dhe një mbrojtje solide, duke e çuar PSG-në drejt suksesit të parakohshëm. Por sezoni nuk përfundon këtu për “Les Parisiens”. Ata vazhdojnë të jenë në garë në Champions League dhe në Kupën e Francës, ku objektivi është të kompletohet sezoni me një tripletë, e cila ëndërrohet nga tifozët.

sfidanti.al