Prej dy dekadash gjendja ishte ndryshe dhe superylli i futbollit cilësohej “bir i Barcelonës” dhe jo i atdheut. Historia e Lionel Mesit me Argjentinën ka qenë shumë e turbulluar, pavarësisht golave të tij të shumtë (duke thyer së fundmi edhe rekordin amerikanolatin që mbahej nga Pele). Gjithsesi, pasi fitoi Kupën e Amerikës së Jugut, dhe pasi u largua nga Barcelona, Mesi nuk ka shtëpi tjetër përveç Argjentinës dhe ekipi kombëtar është “dhoma” ku ai rri me “vëllezërit”. Paris SG mund të ndihet i zemëruar dhe i tërbuar që kapiteni “gauços” mund të luajë sonte natën në ndeshjen e Kupës së Botës kundër Uruguajit, ndonëse nuk luajti për 2 ndeshje radhazi për francezët, një në Champions dhe një në kampionat. Trajneri Lionel Skaloni (në foto majtas) thotë se Mesi dëshiron me patjetër që të luajë dhe ai është në gjendje të mirë fizike. Argjentina ka nevojë për fitore sepse synon kualifikimin në Botëror dhe Mesi dëshiron ta fitojë Kupën e Botës, trofeun e vetëm që i mungon në karrierë.
Sfidanti.al