PSG bën detyrën, Liverpulit i duhet 2-0 ndaj Napolit!

Nënkampionët e Europës mund të jenë jashtë Championsit që në ndeshjet e grupeve. Liverpuli ka si shpresë të vetme fitoren 2-0 në “Anfild” ndaj Napolit, për të siguruar kalimin e turit, pas disfatës 1-2 në “Park dë Prensis”. Paris SG më në fund u ngjit në nivelin ku kërkohet, duke mundur një “fuqi” të madhe kontinentale, si të kuqtë e Jurgen Klopit. Bernat realizoi në 13’, Nejmar në 37’, dhe Milner me penallti në minutën e parë shtesë të pjesës së parë.

Me fitoren 3-1 të Napolit ndaj Crvena Zvezdës, anglezët mbeten në vend të tretë me vetëm 6 pikë në 5 takime. Një sukses 2-0 ndaj napolitanëve do të bënte që Liverpuli të kalonte dhe italianët të eleminoheshin, gjithnjë nëse Paris SG humbet në Beograd. Nëse PSG fiton, del e para e grupit, nëse barazon del sërish në vend të parë, ndërsa Napoli eleminohet për golaverazh më të keq në ndeshjet direkte.

Në grupet e tjera, kualifikimin për në turin tjetër e siguruan skuadrat spanjolle të Atletikos e Barcelonës, Dortmundi, Porto dhe Shalke. Katalanasit fituan 2-1 në Holandë ndaj PSV Ajndhovenit, në një ndeshje shumë të vështirë, ku u desh magjia e Mesit. Argjentinasi shënoi golin e parë, Pike të dytin, ndërsa për vendasit nuk mjaftoi goli i De Jongut që shkurtoi shifrat.

Në grupin B, Totenhemi fitoi 1-0 me Interin në “Uembli”, me gol të Eriksenit në 80’, por duhet të fitojë në Barcelonë për t’u kualifikuar, nëse Interi mund PSV-në në “San Siro”.

Atletiko u kualifikua më herët, pasi mundi 2-0 Monakon në Madrid. Koke (ose autogol i Mukinajit) dhe Grizman shënuan golat, ndërsa Saviç doli me të kuqe për ekipin e Diego Pablo Simeones. Kalon edhe Dortmundi, ndonëse vetëm barazoi 0-0 në Gjermani me Bryzhin (zotëroi topin 70 për qind).

Porto dhe Shalke e kaluan turin që pa luajtur ende, pasi Lokomotiva e Moskës mundi Gallatasarajin 2-0. Portugezët e fituan 3-1 ndeshjen direkte, duke vulosur vendin e parë, me golat e Militaos, Koronës dhe Maregës, ndërsa Bentaleb realizoi për gjermanët.

Grupi A: Atletiko-Monako 2-0, Dortmund-Bryzh 0-0. Atletiko 12, Dortmund 10, Bryzh 5, Monako 1

Grupi B: PSV-Barcelona 1-2, Totenhem-Inter 1-0. Barcelona 13, Totenhemi 7, Interi 7, PSV 1

Grupi C: Paris SG-Liverpul 2-1, Napoli-Crvena Zvezda 3-1. Napoli 9, PSG 8, Liverpul 6, Crvena Zvezda 4

Grupi D: Lokomotiv Moskë-Gallatasaraj 2-0, Porto-Shalke 3-1. Porto 13, Shalke 8, Gallatasaraji 4, Lokomotiv 3.

Sfidanti.al