Mediumet brazilianë kanë disa kohë që ngulin këmbë se Nejmari do që të largohet nga PSZH-ja. “Globe Esporte” shkruan se Nejmari i bëri të ditur, këto ditë, një delegacioni që kishte ardhur nga Parisi, se do të largohet nga PSZH-ja, duke i prezantuar atij, me këtë rast, edhe arsyet. E para dhe kryesorja është loja e rëndë e lojtarëve të ekipeve që janë shumë të dobët. Statistikat tregojnë se Nejmarit i ndërhyhet rëndë deri në gjashtë herë për ndeshje, dy herë më shumë se në Spanjë. Gjyqtarët në Francë, sipas gazetës së lartpërmendur, nuk ia “vërshëllejnë” shumë Nejmarit, kështu që ai ka fituar reputacionin e një lojtari që ankohet për çdo faull kundër tij.
Po ashtu, Nejmari është zhgënjyer edhe nga cilësia e Ligës së 1-rë franceze, megjithëse Marseja, Lioni dhe Monako marrin pjesë në konkurrimet evropiane, por, sidoqoftë, mungojnë ndeshjet e forta, si në Spanjë, ndërkohë që edhe infrastruktura e stadiumeve në Francë është më dobët se në vendin iberik.
Gjithashtu, Nejmarit nuk i pëlqen të udhëtojë me autobus për në ndeshje, ndërkohë që PSZH-ja e bën këtë, sepse shumica e ndeshjeve zhvillohet në qytete pranë Parisit, ndërsa Barcelona udhëton me avion. Futbollisti brazilian konisderon se udhëtimi me autobus nuk e lejon atë që të përqëndrohet.
Sfidanti.al