Partizani më në fund mund të thotë se e ka sulmuesin kryesor të sezonit. Edgar Çani, pasi mbeti jashtë fushave për 6 muaj, e tregoi veten në ndeshjen e dytë apo të tretë, kur u aktivizua nga trajneri i ri i të kuqve, Klevis Dalipi. Ish-lojtari i kombëtares shënoi golin e vetëm të sfidës tepër të rëndësishme ndaj Flamurtarit, duke e afruar ndjeshëm skuadrën e tij me vendin e tretë, pra me Europën.
Çani nuk ishte në fushë që në fillim, ai hyri në fillim të pjesës së dytë, por menjëherë tregoi veten, duke shënuar pa kaluar mirë 8 minuta. Jo vetëm kaq, por shënoi edhe një gol tjetër, i cili u anulua pa të drejtë për pozicion jashtë loje. Në minutat e fundit, pati mundësi të realizonte përsëri, por këtë herë gaboi vetë.
Ashtu si në ndeshjet e tjera të kësaj jave, gjyqtari u bë protagonist. Arbitri Andi Koçi dhe ndihmësit e tij anuluan golin e rregullt të Çanit, ndërsa hodhën poshtë pretendimet e të dyja skuadrave për penallti. Fillimisht, ishte Partizani që kërkoi 11-metërsh kur Asani u rrëzua në zonë. Më pas, vlonjatë protestuan pas rrëzimit të Hoxhajt sërish në zonë, pas një dueli me futbollistin vendas, Kotobelli.
Kryeqytetasve u mjaftoi rezultati minimal për të marrë tripikëshin dhe për t’u ngjitur në vendin e katërt, mbi Flamurtarin e Luftëtarin.
Skuadra e Dalipit ka 39 pikë, dhe është 3 pikë larg Laçit që për momentin mban vendin e tretë. Kualifikimi për në Ligën e Europës nga kampionati është e vetmja mundësi për Partizanin këtë sezon, pasi është eleminuar nga Kupa e Shqipërisë.
Sfidanti.al