Pse humbi Liverpuli? Me 5 gjuajtje në portë në 270’, s’mund të jetë ndryshe?!

Lajmi ishte i madh, kampionia e Anglisë humbi një ndeshje që nuk duhej ta kishte mbyllur kështu, dhe ku dominoi mbajtjen e topit, duke luajtur gjatë gjithë kohës në sulm. Rezultati ishte Sauthempton-Liverpul 1-0, por zotërimi i topit ishte 33 me 67 për qind, kornet 1-10 dhe gjuajtjet drejt portës 7-17. Veçse ka një statistikë që flet shumë, Sautheptoni gjuajti 3 herë në kuadrat, ndërsa skuadra e trajnerit Jurgen Klop vetëm një herë. Një tifoz i të kuqve, duke komentuar për BBC-në shkruajti se “kur ke vetëm 5 gjuajtje në kuadrat në 270 minuta (pra në tri ndeshje), nuk mund të fitosh”. Këto ndeshje janë ndaj Uest Bromit, Njukasëllit dhe tani ndaj Sauthemptonit.

Kjo humbje ishte një goditje e rëndë për shpresat e Liverpulit për të mbrojtur titullin, ndërsa Mançester Junajtid ka po kaq pikë, 33, me një ndeshje më pak, ndërsa Mançester Siti ka 29 pikë me dy ndeshje më pak. Komentet e mediave ishin se të kuqtë po liheshin në baltë nga lojtarët kryesorë, Salah e Mane, që humbën raste edhe në stadiumin “Shën Mëria” (Sent Meri). Që kur u dëmtua Diogo Zhota sulmi liverpulas nuk ka qenë ai i mëparshmi. Gjithsesi, ndoshta humbja mund të jetë një këmbanë zgjimi për yjet e “Anfildit”, që në mes të janarit presin në shtëpi Mançester Junajtidin.

“Përgëzime Sauthemptonit, – tha Klopi, – e meritoi fitoren. Ne e nisëm shumë keq ndeshjen, jo vetëm goli i pësuar por loja e fillimit në përgjithësi. Ne duhej ta dinim mirë sesi do të ishte ndeshja, nuk duhej të habiteshim, por u zumë në befasi. Duhej të kishim krijuar shumë më tepër ndeshje. Ne kemi lojtarë të shkëlqyer, por që nuk ishin gati që nga fillimi. Nuk jemi në momentin tonë. Duhej të kishim pasur një penallti, edhe pse kjo nuk na justifikon”.

Sfidanti.al