Debutimi i Topit të Artë ishte me fitore, por ata që prisnin shkëlqimin e tij që në start, mund të quhen të zhgënjyer. Nuk ishte Kristiano Ronaldo heroi i madh i Juventusit në suksesin tepër të vështirë në fushën e Kievos. Kampionët e Italisë triumfuan 3-2, pasi u ndodhën në humbje 1-2, dhe dy golat vendimtarë i shënoi Federiko Bernardeski.
Ronaldo, jo vetëm që nuk arriti të shënonte, por i prishi punë ekipit kur ndeshja ishte në 2-2, duke prekur me dorë një top dhe duke e bërë të pavlefshëm golin e shënuar nga Mario Manxhukiç. Vendimi i arbitrit u mor pas përdorimit të VAR-it.
Formacioni i Alegrit kaloi në epërsi me golin e Kedirës, por pastaj polaku Stepinski barazoi rezultatin. Në pjesën e dytë Xhakerini kaloi veronezët në epërsi me penallti, dhe u duk se debutimi i Ronaldos në Serinë A do të ishte i hidhur. Mendoi Bernardeski për ta bërë të lumtur, edhe pse goli i tij i parë jepet më shumë si autogol i Banit. Gjithsesi, ish-ylli i Fiorentinës vendosi fatin e fitores në minutën e tretë shtesë.
Sfidanti.al