Kejn prish mallkimin e gushtit, gol pas mbi 1 000 minutave!

Thatësirë në qiell, thatësirë edhe në fushë. Harri Kejnit nuk po i shkonte aspak mirë muaji gusht, por më në fund, sulmuesi i Totenhemit pati një ngushëllim. Shënoi golin e parë të muajit të tretë të verës, duke ndihmuar ekipin që të fitonte.

Kapiteni i Spërsave dhe i Anglisë gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 77-të të takimit shtëpiak në “Uembli” ndaj Fulhamit, një derbi i vogël i Premier Ligës. Më herët, Kejnit iu anulua një gol, ndaj edhe ai i kaloi 1 000 minutat pa shënuar në gusht, përfshi ndeshje zyrtare dhe miqësore. Një vuajtje e vërtetë, edhe pse 25-vjeçari është një nga sulmuesit më të mirë të botës, madje Këpuca e Artë e Europës në vitin 2017.

Lajm i mirë ky për Kejnin dhe për Totenhemin, që ka tani dy fitore duke qenë në krye të Premier Ligës. Për skuadrën e trajnerit Poçetino dhe të presidentit Levi ky lajm i mirë ishte i shumëpritur, pas lajmeve negative për vonesën në gatishmërinë e stadiumit të ri, “Uajt Hart Lejn”.

Sfidanti.al