Antonio Cassano ka bërë një rrëfim të sinqertë për periudhën e tij tek Real Madridi, duke pranuar se shpërdoroi një mundësi të madhe për shkak të sjelljes dhe mungesës së përkushtimit. Në një intervistë për gazetën spanjolle “AS”, në prag të përballjes mes Romës dhe Real Madridit, ish-sulmuesi italian u kthye pas në kohë për të analizuar gabimet që shoqëruan aventurën e tij në kryeqytetin spanjoll.
Cassano iu bashkua Realit në vitin 2005, por nuk arriti të përmbushte pritshmëritë, pavarësisht talentit të madh. Ai pranoi se problemi kryesor nuk ishte cilësia si futbollist, por mungesa e disiplinës dhe vullnetit për t’u përmirësuar. “Kam pasur shumë talent dhe pak sakrifica, këtë e di e gjithë bota. Nuk kisha vullnetin e duhur për të ngrënë më pak dhe për të punuar më shumë, por në mënyrën time kam qenë i lumtur”, deklaroi italiani.
I pyetur për paraqitjen e tij në prezantimin me fanellën e Realit, Cassano pranoi se edhe atëherë kishte bërë zgjedhje të gabuara. “Nuk e di çfarë më kalonte nëpër mendje 20 vite më parë. Isha budalla. Kisha veshur një xhaketë të tmerrshme dhe nuk isha veshur siç duhej për atë rast. Por ky isha unë. Bëja marrëzira dhe në Madrid edhe më shumë”, rrëfeu ai.

