PSG fiton, Mbape dy gola, por Nejmar i merr topin e penalltisë!

Mos do të kemi një përplasje “treshe” për penalltitë tek Paris SG? Vjet, atmosfera në klubin parizien u helmua nga konflikti me Nejmarit dhe Edinson Kavanit, ndërsa këtë vit në “fushë” mund të zbresë edhe një yll tjetër, Kilian Mbape. Në ndeshjen e fituar 3-1 në Ligën e Parë të Francës në fushën e Gingompit, Nejmar shënoi golin e barazimit me penallti në minutën e 53-të, por fotot treguan se topi fillimisht ishte në duart e Mbapesë,e më pas braziliani zgjati duart duke ia kërkuar e duke ia marrë.

Vetë Mbape nuk është se mbeti prapa në shkëlqim, përkundrazi bëri më shumë, sepse shënoi dy gola dhe garantoi fitoren e skuadrës së trajnerit Tuhel, që mban kreun e renditjes me dy suksese në dy javë. Javët e ardhshme mund të jenë më të vështira për kampionët, sepse Tuhel ka deklaruar se do t’i lejojë lojtarët t’i zgjidhin vetë mosmarrëveshjet për 11-metërshat. Kjo, mund të sjellë konflikte të hapura në fushë, siç ndodhi vjet mes Nejmarit e Kavanit.

Sfidanti.al