E merkura ishte dita e Ronald Koeman. Holandezi u bë zyrtarisht trajneri i ri i Barcelonës ku zëvendësoi Quique Setien pas humbjes së turpshme 8-2 ndaj Bayernit të Mynihut. Trajneri 57 vjecar i konsideruar si heroi i Wembley në Barcelonë, bëri prezantimin e tij ku nuk e fshehu entuziazmin e tij për mundësinë që iu dha për të marrë drejtimin e skuadrës katalanase
‘Është një ditë e lumtur për mua, për t’u ndjer krenar-tha Koeman-Barcelona është shtëpia ime, do të kem mundësinë të drejtoj një skuadër si kjo. Është një sfidë, nuk është e lehtë, Barcelona kërkon gjithnjë maksimumin dhe kështu duhet të jetë. Ka lojtarë cilësorë të mjaftueshëm për të marrë rezultatet më të mira dhe për të fituar tituj. Kam firmosur, jam trajner i Barcelonës, do të punojmë që të kemi një skuadër të fortë. Duhen bërë ndryshime, imazhi i ditëve të kaluara nuk është ai që duam. Duhet të punojmë për të rifituar prestigjin. Barcelona vazhdon të jetë klubi më i madh në botë. Është një ëndërr e bërë realitet. Tani të punojmë që Barcelona të jetë në vendin që i takon’.
Koeman në konferencën për shtyp foli për shumë tema, por ajo më delikatja kishte të bënte me Lionel Messin për të cilin qarkullojnë zërat se ka shprehur dëshirën të largohet menjëherë nga Barcelona.
‘Nuk e di nëse do të më duhet që të bind Messin-shtoi Koeman-është lojtari më I mirë në botë dhe më të mirin do që ta kesh në skuadrën tënde, nuk është e kundërta. Për mua do të më pëlqente të punoja me Messin, të fiton ndeshjet me rendimentin e tij dhe do të jem shumë i kënaqur nëse dëshiron të qëndrojë. Ka një kontratë me klubin, pur duhet të flas me të, sigurisht. Do të flasim me disa lojtarë, në rastin e Messit, shpresoj që të qëndrojë këtu edhe për shumë vjet. Nuk dua të zbuloj gjëra private, për atë cfarë do të flas me lojtarët. Vendimet I marr unë. Messi ka një kontratë dhe është kaq i rëndësishëm sa e dua në skuadrën time’.
Sfidanti.al