“Zvezda shkon në Shqipëri”, është titulli i “B92”-it, që komenton se “futbollistët e Crvena Zvezdës do të bujtin kampionin shqiptar në Tiranë, në turin e dytë eleminator të Championsit”. Sipas medias beogradase, Tirana e befasoi Dinamon e Tbilisit duke e mundur 2-0 në Gjeorgji, duke luajtur fort në mbrojtje dhe në kundërsulm.
I njëjti titull edhe për të përditshmen sportive, “Sportski Zhurnal”. “Zvezda shkon në Tiranë, shqiptarët festuan në Tbilisi”, – titullon gazeta. “Crvena Zvezda duhet të bujtë në 26 gusht në Tiranë, – vazhdon ajo, – Tirana eleminoi gjeorgjanët e Dinamos së Tbilisit, me gola të Torasës dhe Ismailgecajt, pas gabimeve të mbrojtjes dhe portierit”.
“Sensacion në Gjeorgji, – shkruan “Blic”, – Zvezda do të shkojë në Shqipëri! Tirana doli më e zonja se Dinamo, qysh javën e ardhshme përballje e ashpër te komshiu!” Ja edhe komenti i gazetës “Veçernje Novosti: “E papritur në Tbilisi, Zvezda mëson rivalin e turit të dytë eleminator në Ligën e Kampionëve, futbollistët e saj do të bujtin në Tiranë, përballë ekipit me të njëjtin emër. Nuk ka dyshime që Zvezda është favorite në Tiranë, por luhet me një takim të vetëm, ndaj gjithçka është e mundshme”.
Gazeta “Danas” shkruan se Crvena Zvezda fitoi 5-0 ndaj Europës së Gjibraltarit, por loja e kampionëve të Serbisë nuk bindi plotësisht, dhe gabimet e bëra ndaj një kundërshtari modest mund të kushtojnë në raundin tjetër. Gjithsesi, trajneri Dejan Stankoviç u shpreh i kënaqur dhe përgëzoi lojtarët e tij. “Danas” e harroi menjëherë ndeshjen e raundit të dytë, dhe bëri llogaritë për raundin e tretë ku Zvezda mund të shmangë ekipe si Dinamo Zagreb, Sëlltik, Jang Bojs apo Ludogorec.
Sfidanti.al