Argjentina, para katër vitesh, doli në vendin e dytë në Botërorin e Brazilit, ku ajo në finale humbi, me shtesë lojë, 1-0 ndaj Gjermanisë, duke i zhgënjyer shumë tifozët e këtij vendi latinoamerikan. Futbollisti kryesor i Argjentinës, Lionel Mesi, gjithashtu, kapiten i ekipit, në karrierën e tij ka fituar të gjithë trofetë e rëndësishme të mundshme, me përjashtim të ndonjë trofeu me përfaqësuesen argjentinase që, madje, me të në përbërje, ka humbur në tri ndeshje finale, dy në Kupën e Amerikës dhe një në Botërorin e fundit në Brazil.
Edhe tani, në prag të Kupës së Botës Rusi-2018, Mesi është përsëri në qendër të vëmendjes, pasi shumëkush pret që ai, më në fund, ta fitojë edhe të vetmin trofe të rëndësishëm që atij i mungon, atë të kampionit të botës. Kështu, Mesi ndodhet përballë një presioni mjaft të madh. Trajneri i përfaqësueses argjentinase, Horhe Sampaoli, pas superhumbjes me 6 gola me Spanjen, duke pasur parasysh këtë situatë, bëri një krahasim interesant:
“Mesi ka mbi kokë të drejtuar një revole që quhet Kupa e Botës. Nëse nuk do ta fitojë atë, atëherë, ai… do të bjerë i vdekur! Si pasojë, ai nuk mund t’i gëzohet shumë talentit të vet. I gjithë ky negativizëm lidhur me përfaqësuesen e dëmton Mesin. Sidoqoftë, momentalisht, momentalisht, unë po stërvis futbollistin më të mirë në histori. Leo ka 10 vite që është lojtari më i mirë në botë”, vuri në dukje trajneri i Argjentinës, Sampaoli.
Sfidanti.al