Premier Liga kthehet në stërvitje këtë javë, klubet votojnë “pro”!

Edhe Anglia e hodhi hapin e saj, pas Gjermanisë, Spanjës dhe Italisë. Klubet e Premier Ligës votuan që skuadrat të kthehen rregullisht në stërvitje këtë javë, dhe ky shihet si hapi i parë drejt përfundimit me sukses të sezonit. Padyshim që debatet kanë qenë të ashpra, sidomos me disa nga klubet e vegjël që nuk kishin dëshirë për të luajtur, e po ashtu me shumë nga yjet që kishin shprehur shqetësimin për sigurinë e tyre.

Stërvitjet mund të nisin nesër, apo edhe ndonjë ditë më vonë, por “drita jeshile” është tashmë e ndezur. Për momentin, lojtarët do të lejohen që të stërviten me grupe nga 5, dhe duke respektuar distancat e sigurisë fizike. U deshën 14 vota “pro” që propozimi të kalonte dhe kjo ndodhi. Do të merren masat për testimin e vazhdueshëm të lojtarëve dhe stafit, po ashtu për të dezinfektuar flamurët e këndit, topat, shtyllat e portave, sipërfaqet e lojës dhe çdo ambient tjetër që lidhet me futbollin. Premier Liga mund të fillojë në qershor, ndërsa Liverpuli shpreson të fitojë titullin e parë kampion pas 30 vjetësh.

Sfidanti.al