Vazhdojmë të mbajmë mend kulmin që na e hoqën nga duart në Londër në 26 prill 1988. Historia nuk ndërtohet mbi shanset e humbura, por gjithsesi futbollistët e sotëm të Shqipërisë bëjnë mirë ta shikojnë golin e Sulejman Demollarit në “Uembli”, ndërsa do të vihen sot përballë Anglisë. Edhe skuadrat më të forta të botës mund të thyhen nga klasi dhe disiplina, diçka që trajneri Edi Reja kërkon sot maksimalisht nga të besuarit e tij.
Kombëtarja luan ndeshjen e dytë eleminatore të Botërorit në orën 18:00 në “Arenën Air Albania” dhe synimi është të arrihet të paktën barazimi. Mungon Kumbulla, ndërsa në dyshim është Odise Roshi, diçka që e detyron Rejën të ndryshojë treshen e mbrojtjes, me Veselin në krah të Gjimshitit e Ismajlit. Dyshimet janë në mesfushë, me balotazh mes Memushajt e Laçit apo Lenjanit e Uzunit, si dhe në sulm ku Broja ndoshta mund të jetë titullar.
Anglia vjen në Tiranë me disa mungesa si Henderson, Pikford apo Rashford, por trajneri Sauthgejt pritet të hedhë në fushë lojtarët më të mirë si Kejn, Megajer apo Foden. Kjo është ndeshja e dytë eleminatore për të dyja skuadrat, pasi anglezët triumfuan 5-0 në “Uembli” ndaj San Marinos, ndërsa Shqipëria fitoi 1-0 në fushën e Andorrës me gol të Lenjanit. Fitorja e Shqipërisë kuotohet me 11, barazimi me 5, ndërsa anglezët jepen thellësisht favoritë për të fituar me koeficientin e ulët 1.28.
Sfidanti.al