Prag Paris SG-Man. Siti, anglezët jepen favoritë edhe pse luhet në Francë!

Ka kaluar dy rivalë të mëdhenj, por trofeu ende është larg. Paris SG është me ambicie të jashtëzakonshme në Champions pas triumfeve ndaj Barcelonës e Bajernit, veçse testi i radhës nuk është aspak më i lehtë. Përballë në gjysmëfinale është Mançester Siti, dhe francezët e dinë se duhet të japin maksimumin për t’ia dalë. Trajneri Poçetino shpreson që disa nga lojtarët kryesorë të jenë në formën e duhur. Mbape pësoi dëmtim ndaj Mecit, por pritet të jetë në formacion, ashtu si portieri Navas dhe mesfushori Verrati. Mundësi kanë edhe kapiteni Markinjos e Diallo, ndërsa mungesa e vetme e sigurt është Bernat.

“Detyra jonë është që të eleminojmë Mançester Sitin, dhe kjo do të jetë shumë e vështirë, – u shpreh Poçetino, – Siti është një skuadër e madhe, që luan futboll të madh, ka lojtarë të shkëlqyer dhe është rritur si klub kohët e fundit. Ata kanë Guardiolën, trajnerin më të mirë të botës, por ne kemi detyrë të bëjmë ndeshjen tonë. Kaluam Barcelonën dhe Bajernin, por nuk kemi fituar ende asgjë. Shpresoj që të jemi më mirë sesa herët e kaluara në ndeshjet në shtëpi”.

Siti po ashtu nuk i ka diskutuar kualifikimet ndaj Gladbahut dhe Dortmundit duke arritur 4 fitore në 4 ndeshje, ndërsa duket në formë të madhe. Fundjavën e kaluar fitoi trofeun e parë, Kupën e Ligës me finalen ndaj Totenhemit në “Uembli”. Siti nuk ka shqetësime me dëmtimet, dhe Guardiola do të ketë dhimbje koke thjesht për të caktuar ekipin titullar. Aguero pritet të jetë në stol, ashtu si edhe Stërling që nuk po kalon momente të mira.

“Ata janë tepër shumë të mirë, – tha Guardiola, – u përpoqa të flija mirë natën e fundit, dhe unë mund të fle mirë vetëm duke mos menduar për ta. Ky është realiteti dhe ata janë lojtarë të pabesueshëm. Gjithsesi, problem është i gjithë Paris SG. E dimë se do të duhet të vuajmë, por do të kemi shanset tona. Siç thoshte Johan Krujfi, kur arrin në këto nivele thjesht shijo momentin, dhe mos iu dorëzo presionit. Le ta luajmë si një miqësore”. Mançester Siti jepet favorit për fitoren me kuotën 2.1 ndaj koeficientit 3.4 të PSG-së, ndonëse ndeshja luhet në Paris.

Sfidanti.al