Prag Paris SG-Bajern, bavarezët synojnë “mrekullinë e vogël” në Champions!

Kryeqyteti i Francës është i bukur, por gjermanët nuk e kanë aspak mendjen te kjo. Bajerni ka mbërritur në Paris me detyrën e skajshme që të përmbysë një humbje të rëndë, dhe të kualifikohet për në gjysmëfinalet e Championsit. Kampionët e Europës dhe të Botës, padyshim edhe të Gjermanisë, do të jenë përballë Paris SG me vështirësinë e disfatës në Mynih dhe me peshën e krizës mes trajnerit Flik e drejtorit sportiv, Salihamixhiç.

Po ashtu, ekipi është përgatitur sërish pa yllin kryesor, Robert Levandovskin, shënuesin dhe lojtarin më të mirë të botës për vitin 2020. Jo vetëm kaq, por Flik nuk mund të llogarisë as Zylen, Tolisonë, Gnabrinë, Dagllas Kostën e Rokën. “Ne na duhet një mrekulli e vogël që t’ia dalim, – tha trajneri gjerman, – na duhen dy gola pa pësuar asnjë, një detyrë e vështirë, por këto janë kushtet. Do të jemi të lumtur nëse ia dalim. Duhet ta detyrojmë Parisin të bëjë gabime, dhe të jemi më të saktë para portës. Mbape një ditë do të jetë lojtari më i mirë i botës, por Parisi nuk është vetëm ai”.

Parizienët duken në pozicion më komod, me thuajse të gjithë yjet të gatshëm. Florenci dhe Verrati janë kthyer në stërvitje, por vështirë të jenë titullarë, ndërsa kapiteni Markinjos është i dëmtuar, e Ikardi mbetet jashtë ekipit. Në dyshim edhe Kurzaua dhe portieri Kejlor Navas. Trajneri Poçetino mund të llogarisë Nejmarin, Mbapenë e Di Marinë për sulmin.

“Duhet të luajmë ndryshe nga ndeshja me Barcelonën, – tha argjentinasi, – duhet të jemi më mirë në shtëpi. E pranoj që kemi qenë më mirë jashtë fushe, dhe shpresoj që gjërat të nisin të ndryshojnë. Bajerni është ekipi më i mirë i Europës dhe i botës. Duhet të luajmë të bashkuar”.

Bavarezët jepen favoritë për fitore me kuotën 2.15, ndaj 2.95 të PSG-së, por francezët mbeten favoritë për kualifikimin. Në Mynih kanë përgatitur një video me përmbysjet e ekipit vitet e fundit, ndaj skuadrave të mëdha të Europës si Mançester Junajtid, Real Madrid apo Juventus, dhe shpresojnë që të ndodhë sërish kështu.

Sfidanti.al