Së bashku ishin vetëm për një sezon. Masimiliano Alegri pati mundësinë ta stërviste vetëm rreth 9 muaj Kristiano Ronaldon, e më pas ai u shkarkua, por përpara sesa kjo të ndodhte, trajneri i kishte dhënë një këshillë Juventusit. Mediat zbulojnë se Alegri i kishte kërkuar presidentit Anjeli që ta largonte superyllin portugez pas vetëm një edicioni dhe kjo sepse prania e tij në ekip po pengonte daljen dhe zhvillimin e talenteve të rinj, si dhe lojën e skuadrës. Tekniku me përvojë fitoi 5 tituj kampion në Torino, dhe po ashtu 4 Kupa të Italisë, ndërsa në takimin e fundit me drejtuesit i nxiti të shpëtonin nga Ronaldo
Gjithsesi, Juventusi nuk deshi të mbetej pa Ronaldon, tek i cili ishte investuar shumë, një pagesë prej 100 milionë eurosh për kartonin dhe rreth 31 milionë euro si rrogë në sezon. Përkundrazi, ishte Alegri që u largua nga klubi, diçka që u vendos më shumë pas eleminimit në çerekfinalet e Championsit përballë Ajaksit, pas humbjes në Torino. Tek “Zonja e Vjetër” gjykuan se u duhej një trajner më modern, me lojë sulmuese, ndërsa Alegri cilësohej si tradicional, dhe jo i përshtatshëm për ta bërë Juventusin një markë globale.
Për këtë arsye erdhi Mauricio Sarri, por edhe ai u përplas me Ronaldon dhe u largua pas një viti. Ajo që thuhet se kërkoi Alegri dy vjet më parë, duket se po ndodh tani. Kristiano Ronaldo me gjasë mund të largohet në fund të sezonit nga Torino, ndërsa edhe vetë klubi ka dyshime për projektin bashkë me të. Javën e fundit, ai nuk shënoi dhe e shprehu hapur pakënaqësinë duke flakur fanelën përtokë.
Sfidanti.al