Prag Juventus-Porto, italianët luajnë për jetë a vdekje në Champions!

Fitoret në Serinë A nuk mjaftojnë më. Edhe pse Juventusi dha provën e radhë në Itali, suksesin 3-1 ndaj Lacios, publikut zikaltër dhe mediave u duket pak. Kristiano Ronaldo me shokë duhet ta tregojnë veten në Champions, sonte në 21:00, dhe detyra është bërë e vështirë pas humbjes 1-2 në Porto në ndeshjen e parë të turit të dytë. Kalimi për në çerekfinale është në pikëpyetje, edhe pse plotësisht i arritshëm, ndërsa tifozët po presin me dekada që nga triumfi i fundit në 1996.

Lista e dëmtimeve të trajnerit Pirlo po pakësohet, por ende mbetet e gjatë. Bonuçi i Artur, të paktën, ishin në stol në ndeshjen e Serisë A dhe luajtën në pjesën e dytë Kielini dhe De Ligt po i afrohen kthimit në ekip nga dëmtimi, por që të dy mbeten në dyshim. Për më tepër, Dibala është jashtë, Betankur mbetet pozitiv me Kovid dhe Danilo është i pezulluar. Të paktën, dyshja e sulmit pritet të jetë ajo e zakonshme me Ronaldon e Moratën.

“Është një ndeshje vendimtare për fatin tonë, – thotë Pirlo, – nëse do të vazhdojmë në Champions apo jo. Është si një finale për ne, por po kështu është edhe për Porton. Na duhet të përmbysim humbjen 1-2 të ndeshjes së parë, pra duhet të japim gjithçka kemi. Mundësitë për kualifikimin janë që të gjitha, veçse duhet të tregojmë shpirtin e vërtetë të Juventusit”.

Porto gjithashtu ka probleme. Pepe është në dyshim në qendër të mbrojtjes, ku gjithashtu në pikëpyetje mbetet Markano, Korona nuk dihet sesa e ka marrë veten nga dëmtimi, ashtu si Mbemba apo Grujiç. Skuadra portugeze po përgatitet e qetë, duke e ditur se nuk është favorite, veçse statistikat nuk gabojnë dhe thonë se të mbiquajturit “dragonjtë” kanë përvojë të madhe në Champions, ku kanë luajtur për 24 sezone, vetëm një më pak se Reali e Barcelona.

“Ne duam që të kualifikohemi, – tha trajneri Serzhio Konseisao, – do të luajmë njësoj si në ndeshjen e kaluar. Mund të kemi mungesa pasi kemi luajtur shumë ndeshje dhe lojtarët janë të lodhur. Juventusi ka shpenzuar shumë për Championsin, por ne kemi identitetin tonë. Nuk më pëlqejnë krahasimet me Murinjon”. Kualifikimi për në çerekfinale vlen mbi 10 milionë euro.

Sfidanti.al