Gjithçka e ka një fillim dhe një fund. Joakim Lëv ka bërë të qartë se pas disa muajsh do të largohet nga kombëtarja e Gjermanisë, saktësisht pas Europianit të këtij viti. Federata Gjermane e Futbollit njoftoi zyrtarisht se kishte pranuar kërkesën e trajnerit 61-vjeçar, ndërsa vazhdimisht e kishte mbrojtur dhe e kishte konfirmuar në stol pavarësisht presionit publik. Pozitat e tij u dobësuan ndjeshëm që pas eleminimit të pashoq në grup në Kupën e Botës në Rusi në 2018, pas humbjes 0-2 me Korenë e Jugut.
Lëv e nisi karrierën në stolin “teuton” pas Kupës së Botës të vitit 2006 në Gjermani, ndërsa trajneri i asaj kohe, Jurgen Klinsman, u largua në vijim të humbjes në gjysmëfinale me Italinë, 0-2. Nën drejtimin e tij, u arrit finalja e Europianit në vitin 2008, humbur 0-1 nga Spanja e lavdishme, ndërsa gjermanët më në fund e stabilizuan sërish veten si një ekipi i elitës së futbollit botëror. Kulmi i Gjermanisë së Lëvit ishte Botërori i Brazilit në 2014, kur u fitua titulli i katërt botëror, baraz me Italinë dhe një më pak se brazilianët. Nuk harrohet fitorja 7-1 në gjysmëfinale me Brazilin, dhe pastaj finalja dramatike ndaj Argjentinës së Mesit.
Gjithsesi, pas triumfit të madh nisi rënia. Kampionët e botës u eleminuan në gjysmëfinale të Kampionatit Europian 2016 nga Franca, ndërsa dështimi absolut erdhi në Rusi dy vjet më vonë. Kapakun e vuri humbja 0-6 në Spanjë që solli elemiminin nga Liga e Kombeve, por sidomos bëri të qartë se Lëvi ndoshta nuk kishte më energji për të përballuar një detyrë kaq të vështirë. Favorit për ta zëvendësuar në stol, sipas mediave të ndryshme është Jurgen Klop, trajneri i Liverpulit, ndërsa nuk dihet se çfarë do të bëhet me lojtarët e larguar nga Lëvi, sidomos me veteranin Tomas Myler.
Sfidanti.al