Me atë që ndodhi vjet, miqtë kanë një mundësi të madhe. Jo vetëm kaq, por Milani i trajnerit Stefano Pioli e ka vazhduar formën e mirë të sezonit të kaluar, edhe këtë edicion në Serinë A, dhe jo më kot ka 8 pikë më shumë sesa Juventusi pas vetëm tri ndeshjeve. Gjithsesi, njëri nga dy derbit Italisë luhet në Torino, dhe “Zonja e Vjetër” jepet sërish favorite, sidomos pas reagimit që pati në Ligën e Kampionëve. Fitorja 3-0 në Suedi ndaj Malmoes ishte një reagim. Trajneri Alegri ende ka probleme, pasi Kieza e Bernardeski e nisi nga stoli, ndonëse Kieza e ka një shans për të qenë titullar. Në mbrojtje De Ligt është favorit ndaj Bonuçit, ndërsa në sulm pritet dyshja Dibala-Morata, me Keanin e Kulushevskin që mund të aktivizohen më vonë.
“Është një nga ndeshjet më të vështira të sezonit, – thotë Alegri, – ne duhet të bëjmë një paraqitje të nivelit më të lartë, sepse na duhet rezultat. Kemi vetëm 1 pikë në tri ndeshje në Serinë A, por le të marrim shembull nga ajo që bëmë në Champions. Milani është rritur, lojtarë që luajnë bashkë prej 3 vitesh. Përsa i përket formacionit kam disa dyshime”.
Milani shkon në Torino me shqetësime jo të vogla. Zhiru e Ibrahimoviç mungojnë në sulm, e Kalabria në mbrojtje. Dyshim edhe për portierin Menja, me dëmtim në dorë, ndërsa Kruniç e Bakajoko nuk udhëtuan fare me skuadrën. “E rëndësishme është që kemi mësuar ta përballojmë presionin, – tha Pioli, – siç e treguam në Liverpul, dhe besoj se kjo na ka bërë më të fortë. Ndaj Juves do të jetë pothuaj po kaq e vështirë. Nuk mendoj se jemi favoritë në Torino, edhe pse fituam vjet. Përballë do të jenë dy ekipe shumë të forta, kush do të luajë më mirë, do të ketë mundësitë më të mëdha për të fituar”. Milani ka 9 pikë të plota pas 3 ndeshjeve të para, ndërsa Juventusi ka vetëm një.
Sfidanti.al