Prag Frankfurt-Rejnxhërs, kush e fiton Ligën e Europës sonte në Sevilje?!

Në Shqipëri duhet t’i analizojnë mirë këto pamje. Ultrasit e Frankfurtit dhe Gllazgou Rejnxhërsit u përplasën me njëri-tjetrin një ditë para finales së Ligës së Europës që luhet sot në Sevilje të Spanjës. Kjo, vetëm pak muaj pasi tifozët e skajshëm të Frankfurtit u përleshën me ata anglezë të Uest Hemit, po në këtë qytet. Gjithsesi, le ta lemë mënjanë dhunën dhe të shpresojmë se nuk do të ndodhë kështu në Tiranë javën e ardhshme në Ligën e Konferencës, pasi në Sevilje pritet të luhet futboll. Ajntrahti gjerman ka udhëtuar drejt Spanjës me synimin për të fituar trofeun e dytë europian. Në 1980, Frankfurti shtangu Bajernin favorit në finalen e Kupës UEFA, atëherë kur skuadrat gjermane dominonin kontinentin, bashkë me ato angleze.

Edhe Ajntrahti i sotëm ka se përse të krenohet. Rrugës deri në finale eliminoi Barcelonën e madhe, me mbi 20 000 tifozë gjermanë në “Kamp Nou”. Trajneri Glasner ka mungesë mbrojtësin Hintereger, po ashtu Ramajn, ndërsa Ndika shpresohet të jetë gati. Glasneri është optimist se Frankfurti do ta kurorëzojë me sukses aventurën europiane, ashtu siç janë edhe tifozët që shijojnë ditën e majit në Sevilje.

Gllazgou Rejnxhërs po ashtu ka shkuar në Spanjë për titullin e dytë në kontinentin e vjetër. Në 1972, skocezët fituan Kupën e Kupave 3-2 në finalen e “Kamp Nout” ndaj Dinamos së Moskës, dhe ata lojtarë njihen si “arinjtë e Barcelonës”. Nën drejtimin e trajnerit Van Bronkhorts, Rejnxhërsi la pas zhgënjimin e humbjes së titullit në Skoci, ndërsa shpreson të triumfojë sonte. Mungesat janë të shumta si Helander, Morelos apo Ianis Haxhi. Dy ekipet janë përballur vetëm një herë në Europë, në 1960 në Kupën e Kampionëve, dhe gjermanët kanë triumfuar në gjysmëfinale në të dyja ndeshjet me shifrat e përgjithshme 12-4.

Sfidanti.al