Prag Champions, dy klasike Inter-Real dhe Liverpul-Milan!

Një tjetër mbrëmje e madhe, ndoshta më shumë se dje. Dy sfida klasike do të luhen sonte në Champions në 21:00, në dy stadiume legjendarë si “San Siro” dhe “Anfild”. Në Milano, shkon Reali i Madridit, rekordmeni me 13 tituj, që duket në formë shumë të mirë, edhe pse nuk mori dot Mbapenë. “Merengesit” e trajnerit me përvojë Ançeloti kanë në përbërje yje si Benzema, Modriç, Kurtua, Karvahal, por edhe yllin e ri Vinisius.

“Ekipi është mirë. Ndeshjen e kaluar me Seltën e analizuam mirë, por këtë herë është histori tjetër, një kompeticion tjetër, që është shumë i rëndësishëm për madridizmin, – tha italiani, – Duam të kemi sukses, ndonëse me Interin do të jetë ndeshje e vështirë. Kur kam qenë fëmijë isha tifoz me Interin, madje bëra një provë, por pastaj shkova tek Roma”.

Sfidat Inter-Real janë historike e kanë nisur që në vitet 60-të të shekullit të kaluar. Pavarësisht se italianët kanë pasur mjaft suksese, sërish tradita është më e mirë për madrilenët, siç u duk edhe vjet kur fituan dy ndeshjet në grup. “Ajo që ka ndodhur vjet, është e kaluara, – thotë trajneri Inzagi, – kemi një mundësi për të shkruar një faqe të re në historinë e klubit. Grupi nuk është i lehtë, por duam kualifikimin. Përvoja është shumë e rëndësishme në këto ndeshje dhe Reali ka një përvojë të madhe. Na duhet të mbajmë topin”.

Jo më pak intriguese një klasike si Liverpul-Milan. Kush harron dy finalet e Championsit, si ajo historike në 2005 në Stamboll fituar nga anglezët me penallti, pasi përmbysën rezultatin 0-3. Italianët morën hakun në 2007 në Athinë me golat e Pipo Inzagit. Trajneri anglez, Klop, është i lumtur për shortin e grupit.

“Jemi ne, është Milani, Atletiko e Porto, – tha ai, – një grup shumë i fortë, më i forti që kam pasur tek Liverpuli. Njerëzit ndoshta mund të thonë “obobo si do të kualifikohemi?”, por unë nuk ankohem. Kjo është ajo që donim kur u hodh shorti”.

Italianët shkuan në Angli pa yllin kryesor, Zllatan Ibrahimoviç që u dëmtua sërish. Në mungesë të tij, shanset pakësohen, por trajneri Stefano Pioli ka besim tek ekipi që është në krye të renditjes në Serinë A. “Natyrisht jemi rritur si ekip, kemi më shumë përvojë, – tha ai, – këtë po e tregojmë këtë sezon. Gjithsesi, niveli rritet, por ne mezi e kemi pritur këtë gjë. Kjo është një mundësi e madhe për të treguar veten dhe për të kuptuar se ku jemi”. Sidoqoftë, Liverpuli jepet favorit për të fituar mbrëmjen e sotme.

Sfidanti.al