Numri 1 i klubit duket se e mbajti trajnerin holandez vetëm sepse nuk mundi të gjente ndonjë tjetër për të qenë (Ksavi nuk ishte gati) dhe sepse besoi që me Lionel Mesin në fushë, skuadra do të mundej të ecte përpara. Legjenda argjentinase u largua dhe skuadra e Barcelonës mbeti jetime në fushën e lojës, një lloj jetimeje që “nënën” (trajnerin) e ka “gjallë”, por që më mirë të mos e kishte. Kur tifozët katalanas nisën të thërrisnin “Kuman jashtë” në përfundim të ndeshjes së humbur 0-3 me Bajernin në Champions, u kuptua se trajnerin holandez praktikisht nuk e do njeri në klub. Nuk harrohet sesi ai largoi Luis Suarezin, dhe sesi Mesi e kritikoi ashpër më pas. Pak ditë më parë, shefi i fushatës së Laportës pati një debat të ashpër në distancë me të duke akuzuar se “Kumani shkatërroi veten”. Habi sesi u zgjodh të mbahej një trajner që sipas krahut të djathtë të Laportës është tashmë i shkatërruar, madje i shkatërruar nga vetvetja. Nuk dihet se çfarë do të ndodhë tek Barça, por gjendja është katastrofike.
Sfidanti.al