Prag Çelsi-Real, kush do ta shoqërojë Guardiolën në finalen e Championsit?!

Sesa e vështirë është të kalosh një gjigand të tillë kuptohet vetëm kur vjen çasti vendimtar. Ky moment është sot për Çelsin, ndërsa Reali i Madridit ka udhëtuar drejt Londrës për ndeshjen gjysmëfinale të kthimit në Champions. Plot 13 herë kampionët e Europës nuk mund të jenë të tronditur thjesht sepse barazuan 1-1 në fushën e tyre para një jave, dhe padyshim ndihen të fortë e me besim të plotë se mund t’ia dalin. Në “Bernabeu” apo në “Stemford Brixh” për yje me kaq përvojë është e njëjta gjë.

Lajmi i madh për Realin është se kapiteni Sergio Ramos është kthyer nga dëmtimi në momentin e duhur. Gjithsesi, qendërmbrojtësi nuk ka luajtur asnjë minutë prej shumë javësh, pra a mund t’i besohet atij në një sfidë kaq të vështirë? Trajneri Zidan nuk ka mbrojtësit Varan e Karvahal, as Lukas Vaskezin, ndërsa Mendi ka pasur shqetësime dëmtimi, e Valverde sapo është bashkuar me shokët pasi kaloi Kovidin. Eden Hazar mund të ulet në stol, por të paktën Modriç e Kros pushuan në fundjavë në La Liga, ndërsa Benzema është si gjithnjë në formë.

“Ne ndihemi mirë dhe optimistë, – tha Zidan, – jemi të lumtur që jemi këtu. E dimë se çfarë ndeshjesh na pret dhe do të përpiqemi të japim gjithçka në fushë për të kaluar në finale. Sergio Ramos është me ne, do të thotë se është mirë. Ai është lideri ynë, kapiteni. Deri këtu kemi arritur me forcat tona, nuk ka ndodhur ndonjë mrekulli, unë nuk besoj tek mrekullitë. Besoj se mund t’ia dalim”.

Për Blutë e Londrës detyra është sërish shumë e vështirë, edhe pse rezultati i Madridit është më i favorshëm për ta. Do të synohet finalja e tretë në histori, që mund të jetë tërësisht angleze përballë Sitit. Çelsi ka të sigurt vetëm mungesën e Kovaçiçit, ndërsa Maunt e Rydiger pritet të jenë gati. Lojtarë kryesorë si Azpilikueta, Zhorzhinjo e Kante u lanë pushim në Premier Ligë nga trajneri Tomas Tuhel, pra janë të freskët.

“Le ta harrojmë rezultatin e ndeshjes së parë, – tha gjermani, – nuk është aq i rëndësishëm sa mendon gjithkush. Ka zero rëndësi në përgatitjet tona për ndeshjen, zero rëndësi për mua. Për ne nuk ndryshon asgjë. Ne e dimë se gjithçka është plotësisht e hapur, dhe duhet të japim maksimumin për t’ia dalë mbanë si një ekip i bashkuar, për të kaluar Realin e Madridit”. Çelsi, gjithsesi, jepet favorit për të kaluar në finale, pavarësisht përvojës dhe emrit të madh të Realit.

Sfidanti.al