Poçetino, nderi yt vlen më shumë se 18 muaj kontratë tek Paris SG!

Një trajner i madh vendos gjithashtu kushte të rëndësishme. Jo për t’i bërë sfidë klubit, por për të vendosur gjërat në vendin e vet, por duket se Maurisio Poçetino nuk e bëri plotësisht një gjë të tillë. Ai vërtet u mor nga Paris SG për stolin e nënkampionëve të Europës dhe të kampionëve të Francës, por kontrata e ofruar prej 18 muajsh është një habi. “PSG prezanton Poçetinon, por vetëm me 1.5 vjet kontratë”, shkruajtën me habi mediat europiane dhe ato kanë të drejtë. Një personalitet që ngriti Totenhemin në nivelet më të lartë të Premier Ligës dhe të Championsit duhej të kishte merituar padyshim një kontratë 2-fish më të gjatë, të paktën.

Pas 13 muajsh pa punë, “Poç” ndoshta kishte shumë nevojë për t’u kthyer në profesion dhe e anashkaloi këtë fakt. Gjithsesi, kjo nuk do ta ndihmojë në punën e tij, përballë disa prej yjeve më ambiciozë të botës. Trajneri argjentinas duhet të fitojë besimin e dhomës së zhveshjes, madje ta bëjë shpejt sepse në Paris nuk kanë shumë durim. Tuheli i pati lojtarët me vete dhe sërish u shkarkua! PSG-së i duhet një qendërsulmues, pasi Mbape e Nejmar nuk janë numra “9” dhe Ikardi shpesh dëmtohet. Po ashtu, duhet të paktën një mesfushor klasi për organizim loje sepse parizienët kanë vetëm Verratin. Së fundi duhet një lider, pasi ikja e Tiago Silvës po ndihet shumë.

Sfidanti.al