Po Liverpul, kjo ndaj Barcelonës quhet fitorja më e madhe në histori!

Prag-ndeshja në “Anfild” ishte e mbushur me këngë të Bob Marlit dhe tituj të tjerë të shquar që bënin thirrje vetëm për diçka: Besim dhe kurajë! Gjithsesi, asnjëri nga 53 300 tifozët në stadiumin e lavdishëm të Liverpulit nuk besonin plotësisht se skuadra e tyre do të arrinte një përmbysje të pabesueshme ndaj ekipit më të mirë të botës, Barcelonës së Lionel Mesit.

Jurgen Klopi dhe djemtë e tij, në mënyrë të mrekullueshme, ia dolën, dhe Liverpuli u kualifikua për në finalen e dytë radhazi të Championsit, dhe të 9-ën në historinë e tij të madhe. Gjermani i mbiquajtur “Robin Hudi” ia doli edhe pse kishte humbur 0-3 në “Kamp Nou”, edhe pse dëmtimet e lanë pa dy sulmuesit më të mirë, Mohamed Salahun dhe Roberto Firminon, madje dëmtimet kërcënuan t’ia shkatërronin ndeshjen e jetës, kur Henderson apo Robertson morën goditje dhe iu desh ndihma mjekësore.

Përfundoi 4-0 në “Anfild”, me nga dy gola të shënuar nga Divok Origi (sulmuesi i pestë në hierarkinë e ekipit), dhe po dy nga Georgino Vajnaldum. Sulmuesi belg shënoi që në minutën e 7-të, për t’i dhënë vendasve fillimin e duhur. Pastaj, për mjaft minuta Barça iu afrua barazimit duke humbur raste me Mesin, Kutinjon dhe Zhordi Albën. Madje, pjesa e parë fare mirë mund të kishte përfunduar në barazim, por heroi ishte portieri Alison.

Pas pushimit, Klop bëri zëvendësimin e parë, dhe hodhi në fushë atë që do të shpallej lojtari i ndeshjes, Vajnaldumin. Mesfushori holandez shënoi dy herë, në 54’ dhe 56’, duke barazuar gjysmëfinalen. U kuptua se ishte mbrëmja e Liverpulit, edhe pse i duhej sërish një gol, dhe i kërkohej që të mos pësonte.

I kreu të dyja detyrat më së miri, me Alisonin që ndali Mesin, dhe me Aleksandër-Arnoldin që realizoi veprimin më të rëndësishëm të mbrëmjes. Në një goditje këndi, mashtroi katalanasit që e morën lehtë situatën, por pastaj pasoi shpejt dhe saktë në zonë për Divok Origin e lënë pa mbuluar, dhe sulmuesi belg dërgoi topin në rrjetë. Ishte rezultati 4-0, ai që jepte kualifikimin, dhe që nuk ndryshoi deri në fund. Pjesë e lavdisë edhe Xherdan Shaqiri, i hedhur në fushë në vend të Salahut të dëmtuar, që vrapoi gati 11 kilometra, dhe që shërbeu topin e golit të tretë të Vajnaldumit.

Kjo ishte përmbysja padyshim më e madhe në historinë e Liverpulit në Champions, edhe më e madhe sesa ajo e finales së 2005-ës në Stamboll ndaj Milanit, kur nga 0-3 u barazua në 3-3 dhe u fitua Championsi pas penalltive. Këtë herë, nuk pati nevojë as për shtesë, dhe Liverpuli ishte madhështor, ndërsa në Stamboll më i dobët se Milanit, pavarësisht fitores.

Për Barcelonën erdhi dështimi i dytë identik radhazi. Në “Anfild” u përsërit Roma, dhe gazetat në Spanjë kërkojnë që të merren masa. i shënjestruari duket trajneri Ernesto Valverde që nuk po e frymëzon ekipin në Ligën e Kampionëve. Lionel Mesi humbi një tjetër rast të madh për të fituar Championsin e pestë, për t’u barazuar me Kristiano Ronaldon. Edhe pse ai është lojtari më i mirë i botës, në Europë ndodh shpesh që skuadra e lë vetëm.

Liverpuli, ndërkaq, pret rivalin për finalen e Madridit. Ajaksi apo Totenhemi? Holandezët janë favoritë pas fitores 1-0 në Londër, por nata e “Anfildit” tregoi se në futboll nuk mund të bësh kurrë parashikime.

Sfidanti.al