Nuk dihet nëse do ta fitojë një tjetër finale në karrierë, por për momentin rëndësi ka që e arriti. Jurgen Klop ishte, krejtësisht kuptueshëm, në qiellin e shtatë (e, ndoshta kërkonte të tetin) pasi Liverpuli i tij shkatërroi 4-0 Barcelonën. Trajneri gjerman nuk mund t’i shmangej kamerave dhe mikrofonëve pas duelit të madh të Ligës së Kampionëve, dhe për kënaqësinë e gjithë tifozëve liverpulas, foli me mënyrën e tij krejt të veçantë.
“Kjo ndeshje ishte pak më shumë sesa mund të përballojë njeriu, – tha ai, – ishte e tillë që na dërrmoi emocionalisht. Ne luajtëm ndoshta ndaj skuadrës më të mirë të botës, ndaj së cilës ishte e vështirë që të fitohej, aq më shumë që të mos pësohej gol. Ka shumë gjëra që janë më të rëndësishme sesa futbolli, por edhe kjo atmosferë është diçka e jashtëzakonshme. Gjithë merita i shkon lojtarëve”.
Klopi pati lavdërime për Orgin dhe Shaqirin, duke u kërkuar në një farë mënyre falje që i kishte aktivizua pak këtë sezon, ndërsa theksoi se “skuadra dha sot një paraqitje që unë nuk e kisha parë kurrë më parë, një përzierje potenciali dhe zemre të madhe”. Më tej, trajneri i Liverpulit tregoi se çfarë u kishte kërkuar lojtarëve para ndeshjes. “Duhej të tregoheshim seriozë, por edhe inteligjentë, – tha ai, – Barcelona është ekip që i zotëron mirë situatat e parashikueshme, ndaj duhej të ishim të paparashikueshëm, herë pas here. Kështu ndodhi në rastin e goditjes nga këndi, kur shënuam golin e katërt”.
Sfidanti.al