Pioli: Që të shpëtojë nga “kurthet”, Milani duhet të shënojë më shumë

Nuk është se nuk arrin ta fusë topin në rrjetë, dhe është skuadra e tretë më efektive në Itali në këtë drejtim. Milani ka 55 gola në 29 ndeshje, e lënë pas vetëm nga Interi (61) dhe Lacio (58), por megjithatë trajneri Stefano Pioli kërkon më shumë. “Deri në fund të kampionatit, – thotë ai, – do të ketë shumë kurthe. Për këtë arsye, ne duhet të shënojmë më shumë gola nëse duam që të mos befasohemi, dhe të mbajmë kreun e renditjes”. Milani luan sonte në fushën e Kaljarit, një ndeshje që normalisht fitohet, por që mbetet shumë e vështirë. “Ka edhe 9 javë, dhe gjithçka është e hapur, – shprehet ai, – duam të fitojmë dhe do të mendojmë vetëm për Kaljarin”. Në dyshim, Diaz apo Tonali, ndërsa Ibra mund të ketë minutazh më të madh.

Sfidanti.al