Cirk apo mungesë motivimi, Vllaznia e Partizani u dorëzuan përballë “të vegjëlve”!

Sa më shumë vjen fundi, aq më shumë shikon ndeshje të tilla. Kur ekipe që dalin nga objektivat në kampionat kanë përballë skuadra që rrezikojnë kategorinë, atëherë shikon çudi që nuk kanë ndodhur më parë. Vllaznia e Partizani u shpërfytyruan këtë fundjavë, sidomos shkodranët, duke pësuar humbje e duke i dhënë shpresë rivalëve që kishin përballë, Egnatias e Kastriotit, që të mbeten sërish në elitë sezonin që vjen. Kuqeblutë me të vërtetë u dorëzuan me një humbje 0-3 në Rrogozhinë, ku madje rrezikuan të pësonin një disfatë më të rëndë. Çoroditja shkodrane, me gjasë e ardhur nga shkarkimi i trajnerit Tomas Brdariç, i dha mundësi sulmuesit Pedro Augustos që të shënonte 3 gola, dhe të merrte topin me vete. Brdariçi, mirë apo keq, ishte ndërtuesi i kësaj Vllaznie dhe duket se lojtarët jo vetëm e ndjenë largimin e tij, por edhe sikur nuk kishin dëshirë që kjo të ndodhte.

Edhe Partizani u dorëzua në Kamzë, ndonëse me më shumë rezistencë, të paktën për atë që u pa në fushë. Të kuqtë patën raste, dhe madje shpërdoruan mundësinë më të mirë, penalltinë në pjesën e dytë kur rezultati ishte 0-0. Kur vjen e keqja hapi derën, thotë populli, dhe nga shansi për fitore, ekipi i trajnerit Mehmeti mori humbjen me golin e Kainës pranë fundit. Të dy ekipet patën pretendime për penallti, ndërsa asgjë nuk u sinjalizua. Kjo ishte ndeshja e dytë që Partizani dorëzon me ekipe që rrezikojnë rënien. Kryeqytetasit dhe shkodranët kërkojnë Europën tashmë vetëm nga Kupa, ndërsa Kastrioti dhe Egnatia kanë, përkatësisht 28 e 27 pikë, duke bërë një hap drejt mbijetesës.

Sfidanti.al