Pikëpyetja e madhe tek PSG-ja: A do të “ndezin” Mesi-Nejmar-Mbape?!

Ka padyshim diçka për t’u shqetësuar në një ekip me një treshe kaq të madhe sulmuese, kur statistikat thonë se shënuesi më i mirë i sezonit pas 11 ndeshjeve të para ka vetëm 4 gola. Si mundet që lojtarë kaq fantastikë sa Mesi, Mbape e Nejmar, të shënojnë kaq pak? Për më tepër, 4 gola ka vetëm Mbape (që ka luajtur shumë më tepër se shokët), ndërsa Mesi e Nejmar kanë vetëm nga 1 gol secili. Nga 4 gola kanë të tillë që as nuk priteshin si Ander Herrera apo Idrisa Geje!

Çfarë po ndodh tek Paris SG? Analiza është që treshja e sulmit nuk është ende në formën e duhur fizike, dhe për më tepër Mesi ka luajtur vetëm 3 ndeshje, nga të cilat vetëm të fundit 90 minuta. Pas 20 vjetësh tek Barcelona kjo ishte e pritshme dhe trajneri Poçetino shpreson se koha do të jetë shëruesja e gjithçkaje. Gjithsesi, Mbape e Nejmar nuk po shkojnë mirë dhe francezi u ankua se braziliani nuk pason. Statistikat thonë të kundërtën pasi deri tani, Nejmari i ka dhënë 50 topa Mbapesë, më shumë se kushdo në Ligën e Parë, ndërsa Mbape i ka dhënë shokut 31 topa. Alarmi është i madh, por ku i dihet, ndoshta treshja e madhe edhe mund të “ndezë”.

Sfidanti.al