Rio Ferdinand kalon nga Çelsi tek Siti për favoritin e titullit në Angli

Jeta e një analisti futbolli është shumë e lehtë në krahasim me atë të një trajneri, pasi ai nuk jep kurrë llogari për atë që thotë. Ngjashëm me një deputet, që nuk mban përgjegjësi për çfarë nxjerr nga goja, edhe opinionistët kundërshtojnë vetveten nga java në javë (jo vetëm të tjerët) duke shkuar “andej nga fryn era”. Rio Ferdinand, ish-qendërmbrojtës i Mançester Junajtidit, kishte parashikuar Çelsin si favorit për titull në Premier Ligën angleze, por tashmë e ka kaluar simpatinë tek Mançester Siti. Nuk mund të thuhet se Ferdinandi është tifoz, ndryshe ai do të kishte thënë “Junajtidi”, dhe padyshim që e ka një arsye. “Siti dominoi ndaj Çelsit dhe po ashtu luajti më mirë se Liverpuli ndonëse ishte jashtë fushe, – tha Rio, – kjo e bën favorit për titull”. Gjithsesi, gjërat mund të ndryshojnë, por Ferdinandi nuk do ta ketë problem ta ndryshojë sërish parashikimin, por si një analist i vërtetë nuk mund të thotë kurrë se “nuk mund ta dimë se kush do të dalë kampion”.

Sfidanti.al