Që prej viteve 70-të, por sidomos nga vitet 80-të të shekullit të kaluar, tifozët e mbiquajtur ultras anglezë u bënë dalë nga dalë tmerri i Europës. Grupe të rinj, me sjellje të harbuar, me përçmim për çdo moral dhe edukatë të ashtuquajtur “të shtresës së mesme”, silleshin nëpër kontinentin e vjetër si pushtues, duke shkatërruar, djegur, vrarë e plagusur, duke i pasur këto beteja si dekorata, si gjërat më të shtrenjta të jetës? Çfarë ndodhi me rininë e kombit më fatlum të botës, që i pari hyri në rrjedhën e biznesit dhe të kapitalizmit?
Në 1979, Margaret Theçer fitoi zgjedhjet me ndihmën e përçarjes së të majtës, dhe poltika e “kursimeve” vijoi, politikë që ra kryesisht mbi supet e shtresave më poshtë të shoqërisë. Liberalizmi i Theçerit rikujtoi politikën e “gardhimeve” të shekujve të mesjetës së vonë, kur u morën tokat e Kishës Katolike, u formua aristokracia e re pro mbretit, dhe u krijua një shtresë e madhe endacakësh, proletarët e parë në ishull. Të mbetur pa katandi, pa një copë bukë, shumë prej tyre u bënë grabitës dhe mbretërit nxorrën ligje të egra. Vetëm njëri mbretërve thuhet se vrau nja 70 000.
Anglia eci pikërisht kështu, me tregtarët, shtresat e mesme dhe aristokracinë që ndanin “tortën” e grabitur nga India, Kina dhe kolonitë e tjera, dhe me shtresën e varfër të lënë në skajet e shoqërisë. Këta njerëz pa shkollë për të qenë, pa identitet të vetin në një shoqëri kaq mendjemadhe, u bënë heronjtë e huliganizmit. Interesant fakti se në Skoci nuk ka huliganizëm, as në Spanjë, dhe shumë pak në Gjermani. Huliganizmi që ishte qetësuar për disa kohë, ka ngritur sërish kokë në forma të ndryshme. Në 2006, tifozët anglezë u përleshën me gjermanët në Kupën e Botës, ndërsa tani po tallin dhe ofendojnë lojtarët e kombëtares së tyre që ulen në gjunjë për të luftuar racizmin. Ka shumë thirrje që Federata apo klubet ta luftojnë këtë fenomen, por kjo është e kotë. Fenomenin nuk e krijuan ata, pra as nuk mund ta zgjidhin.
Sfidanti.al