Zinedin Zidan është një legjendë futbolli, por besohet edhe ai e ka të vështirë të zgjedhë formacionin që do të hedhë në fushë tek Reali i Madridit. Karim Benzema dhe Hames Rodrigez, dy nga lojtarët më të kritikuar të sezonit, e ndihmuan që të tejkalonte mungesat e rëndësishme të Kristiano Ronaldos e Garet Bejlit, dhe të fitonte 4-1 në fushën e ekipit shumë modest, por me shumë karakter, Eibar.
Madridi kryesoi deri në 3-0 që pas 30 minutash lojë, pas dy golave të Benzemasë dhe rrjetës së Hamesit, ndërsa në minutën e 60-të realizoi Marko Asensio. Zidan ishte i lumtur jo vetëm që ekipi i tij fitoi, por edhe që la prapa krizën e rezultateve dhe pasigurinë pas disfatës me Valencian, fitores me fat ndaj Vijarrealit dhe barazimit në shtëpi me Las Palmasin. Trajneri francez po mendon edhe për Championsin, edhe për La Ligën, por ai ka luksin e një stoli të mbushur plot, aq sa Reali shpesh luan më mirë kur yje si Ronaldo apo Bejl nuk janë në fushë.
Sfidanti.al