Izmir Smajlaj kampion i Europës, atletika shqiptare triumfon në Beograd!

Kulmin e karrierës e arriti pikërisht në Beograd. Izmir Smajlaj është tani në majë të Europës, duke fituar medaljen e artë për salla të mbyllura. Atleti shkodran, pasi hyri në finale me rezultatin e dytë më të mirë në eleminatore, dhe me rekord kombëtar, e tejkaloi edhe një herë veten. Në kërcimin e dytë vendosi rekordin kombëtar me 8 metra e 2 centimetra, por nuk u mjaftua me kaq.

Pikërisht në mundësinë e fundit, atë të gjashtën, Smajlaj arriti 8 metra e 8 centimetra, një tjetër rekord. Rezultati që I dha vendin e parë në Europë është madje më I mirë sesa rekordi kombëtar I vetë Smajlajt në garat në stadium të hapur, 8 metra e 3 centimetra. Gara në “Kombank Arena” të Beogradit ishte shumë e fortë, pasi suedezi Torneus ishte vazhdimisht përpara tij, ndërsa në kërcimin e katërt, shqiptari u kalua edhe nga ukrainasi Nikiforov.

Gjithsesi, 23-vjeçari e kishte lënë më të mirën për në fund, duke I lënë prapa të gjithë rivalët pikërisht në provën e fundit. Ky është titulli I parë kampion I Europës në salla të mbyllura në atletikë në historinë e sportit shqiptar, madje titulli I parë europian në çdo lloj kompeticioni.

Sfidanti.al