Natyrisht, ndodh edhe në kampionate të tjera, por jo me këtë denduri dhe jo me duele kaq të ashpër, të shpejtë dhe të barabartë. Një Brentford që i vendos “kufirin tek thana” një Liverpuli shumë më superior nga ana cilësore është vërtet një kënaqësi e madhe për tifozët e paanshëm të futbollit. Në “Stadiumin e Bashkësisë së Brentfordit”, në një lagje të Londrës Perëndimore, vendasit përballuan dy herë avantazhin e të kuqve, duke marrë barazimin 3-3 në mënyrë të merituar.
Pinok kaloi vendasit në epërsi në 27’, por Diogo Zhota barazoi në 31’. Të dyja skuadrat patën raste, dhe dy herë topi u largua nga vija fatale, një herë për secilin ekip, ndërsa pas pushimit Salah shënoi golin e tij të 100-të në Premier Ligë në 54’. Janelt barazoi sërish në 63’, por Kërtis Xhons riktheu avantazhin liverpulas me gjuajtje të fortë nga jashtë zone, të devijuar. Ishte minuta e 67-të, por Brentfordi nuk u dorëzua dhe barazoi në 82’ me anë të Joan Uisës. Salah pati një rast të pastër për 4-2, siç e pati edhe në pjesën e parë, por nuk arriti të shënonte më shumë se një gol. Liverpuli mban kreun me 14 pikë ndaj 13 të Man. Sitit, Çelsit, Man. Junajtidit dhe Evertonit, por Brajtoni mund të dalë në krye ditën e sotme.
Sfidanti.al