Ky ishte titulli i të përditshmes katalanase, “Sport”, pas humbjes 2-3 në fushën e Atletikut të Bilbaos në kohën shtesë. Barcelonës, në Kupën e Mbretit, i ndodhi njësoj siç ngjau edhe në Superkupën e Spanjës ndaj Realit të Madridit, kur barazoi dy herë rezultatin dhe pastaj u mund 2-3 në 120 minuta. Këtë herë, eleminimi dhembi, por sidomos sepse u shoqërua me dy dëmtime. Ansu Fati ndenji shumë pak minuta në fushë dhe doli sërish i lënduar. Po ashtu, probleme fizike pati edhe Pedri, me të dy lojtarët që sapo janë kthyer nga dëmtimet e mëparshme. Një mallkim i vërtetë i fatit për Barçën dhe trajnerin Ksavi Hernandez. Ansu Fati parashikohet të mungojë nga 4 deri në 6 javë, një problem i madh për të dhe për ekipin. Në “San Mames”, Ferran Torres dhe Pedri shënuan për dy barazimet, por baskët fituan me rrjetat e Iker Muniainit, Inigo Martinezit dhe sërish Iker Muniainit me penallti.
Sfidanti.al