Mançester Siti tha edhe një lamtumirë tjetër të vogël ndaj titullit të fituar vjet, pas disfatës së papritur në fushën e Njukasëllit. Duhej të kishte qenë ndeshja që do ta afronte në vetëm 1 pikë me Liverpulin kryesues të Premier Ligës, por mesjava me shumë gjasë mund të përfundojë me Pep Guardiolën 7 pikë prapa Jurgen Klopit.
Në “Sent Xhejmsis Park”, vendasit luajtën si në kohën e Alan Shirerit, duke mos u tronditur nga goli i minutës së parë, shënuar nga “snajperi” Kun Aguero. Reagimin e patën në pjesën e dytë, të nxitur edhe nga fjalimi në pushim i Rafa Benitezit, që nuk do të mërzitej nëse ish-ekipi i tij, Liverpuli, do ta fitonte titullin.
Salomon Rondon në 66’ dhe Mat Riçi me penallti në 80’ sollën përmbysjen, me Njukasëllin që mori një fitore të madhe në luftën për mbijetesë. Kur mund kampionët, pse të mos kesh optimizëm. Po Pepi çfarë tha? “Jemi në janar, jo në prill apo maj, – tha trajneri katalanas, – ka ende shumë ndeshje për t’u luajtur dhe ne mund ta mbrojmë titullin”.
Liverpuli kryeson me 60 pikë dhe një ndeshje më pak, Mançester Siti ka 56 pikë, ndërsa Totenhemi mund të afrohet, pasi ka 51 pikë, por nuk e ka luajtur ende ndeshjen e javës së 24-ët.
Sfidanti.al