Emri i tij me gjasë do të mbetet i shkruar në historinë e klubit. Të paktën, i tillë ishte fillimi i aventurës milaniste të Kristof Piontekut. Sulmuesi polak shënoi dy golat e fitores së Milanit ndaj Napolit në Kupën e Italisë, që e kualifikuan skuadrën e Xhenaro Gatuzos për në gjysmëfinale.
Pak ditë më parë, vetë Gatuzo e krahasoi polakun me ish-sulmuesin kuqezi, Tomason, por më shumë sesa me danezin, Pionteku do të donte të përngjante me patriotët e tij të famshëm, Zbignjev Bonjek e Robert Levandovski. i pari, shkëlqeu në Itali me fanelën e Juventusit, dhe i dyti vazhdon të shndrisë në Bundesligë me Bajernin.
Tifozët e Milanit ëndërrojnë që të kenë ata një “Bonjek të ri”, apo pse jo, të rikthehet koha e sulmuesve të identifikuar me golin si Van Basten apo Shevçenko. Piontek i shënoi golat e tij shpejt e shpejt, në minutat 10 e 27, dhe kjo ishte festa më e mirë për debutimin e tij të plotë, si titullar me Milanin.
Piontek është shënuesi më i mirë i Kupës së Italisë me 8 gola, me gjashtë prej tyre të shënuar me fanelën e Xhenoas. Në total, ai është realizuesi më i mirë i sezonit në Itali, pasi ka edhe 13 rrjeta në Serinë A. Milani, padyshim, do të donte të luftonte për trofe, pra për Kupën, por më shumë e rëndësishme është të sigurohet zona Champions në kampionat.
Sfidanti.al