Patjetër Nybelin ose Zomerin, duket se Bajerni nuk ka shumë besim tek rikthimi i Nojerit!

Kur e mori gati 12 vjet më parë, bëri një investim të jashtëzakonshëm, të krahasueshëm me atë të Juventusit me Xhanluixhi Bufonin që në 2000. Bajernit “i ra telebingoja” me Manuel Nojerin, veçse “thesari” duket se po shterron, ndërsa portieri legjendar është i dëmtuar. Dyshimet janë që kapiteni i bavarezëve dhe i Gjermanisë mund të ketë një lëndim të tillë që jo vetëm ta pengojë për t’u kthyer shpejt në fushë, por edhe të mos e lejojë që të rikthehet në formën e tij të zakonshëm. Bajerni ia ka frikën një gjëje të tillë ndaj edhe po përpiqet shumë për të marrë Aleksandër Nybelin, që e ka dhënë tek Monako. Deri tani gjithçka ka dështuar sepse francezët nuk kanë gjetur një portier tjetër për ta zëvendësuar, ndërsa nuk dihet nëse do të kandiset Gladbahu për Jan Zomerin. Borusia kërkon 8-10 milionë euro, ndërsa bavarezët duan të japin deri në 5.

Sfidanti.al