Sa herë që flasin drejtuesit e Partizanit kundër FSHF-së, zyrtarët, me shefin në krye, dëgjojnë me vuajtje akuzat që nuk janë mësuar t’i dëgjojnë nga të tjerët. Por paska edhe më keq, sidomos kur flitet për një tifozeri që sapo ka dalë nga “burgu” i dënimit prej disa javësh. Dëgjoni se deri ku shkon zemërimi i “popullit të kuq”, tifozëve”Ultras Guerrils” të Partizanit, në prag të ndeshjes me Skënderbeun, ku fjalët ngjajnë më shumë si fitil baruti: “ Do të fitojmë ne në një ndeshje kundër dhunës së arbitrave, kundër trukimeve dhe llumit të futbollit”. Një parrullë tepër sfiduese dhe një blasfemi e vërtetë , në një moment kur presidenti i Federatës po numëron me dorë në zemër ditët që e ndajnë nga zgjedhja në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s. Ajo që ndodh në të vërtetë, duket se beteja për titull me Skënderbeun është vetëm sebepi, ndërsa lufta e madhe e Partizanit, që moralisht vlen edhe më shumë se titulli, shfaqet ajo kundër diktaturës disavjeçare, e cila për herë të parë po ndjen t’i tronditen themelet, që nuk paskan qënë aq të fortë sa dukeshin..
Edhe pse “Demat” betohen se do të mundin kampionët e Skënderbeut, cili nuk do ta kuptonte se loja e madhe Partizanit nuk matet me pikë, është një lojë e fshehur, e cila kamuflohet pas predikimit për fitimin e titullit kampion. Sipas zakonit “tabu” në futbollin tonë, një ekip që rebelon kundër shefit fuqiplotë, as nuk duhet ta çojë nëpër mend triumfin, por Partizani po kapërcen orbitën e një kampionati , që mjerisht, lexohet më qartë në fundin e filxhanit zyrtar, sesa në zemër të fushës, aty ka gjenden fituesit e vërtetë. Do të fitojë Partizani apo Skënderbeu? Kjo është vetëm alibia, sepse ndeshja reale fshihet në konteksin e asaj parrulle të tifozëve të Partizanit. Një parrullë tejet e rrezikshme në një moment që UEFA po na përgjon pa u lodhur nga njëra anë, ndërsa po përpiqet të na vjedhë “nektarin” për të cilin kemi investuar tërë këto vite..
Sfidanti.al