Gatimi bëhet i mirë vetëm në nxehtësi të ulët. Ky parim i kuzhinës i vlen 100 për qind edhe mënyrës sesi përgatitet një skuadër futbolli. Trajneri Unai Emeri do ta përkrahte plotësisht, duke iu kujtuar menjëherë situata e tij tek Paris SG. Para pak kohëve, skuadra e tij u “hodh në kosh” nga mediat dhe kritikët për shkak të eleminimit tronditës në Champions ndaj Barcelonës, edhe pse duhej thënë “po hajduti që ma vodhi nuk pati asnjë faj?”
Gjithsesi, Emeri e dinte se vetëm një fitore me peshë do të bënte që katastrofa në “Kamp Nou” të harrohej, dhe kjo u arrit në finalen e Kupës së Ligës ndaj Monakos. Parizienët triumfuan 4-1 ndaj rivalit më të fortë, dhe ekipit që kryeson kampionatin francez duke shënuar numrin më të madh të golave në Europë. Këtë herë, heronjtë nuk ishin Mbape apo Falkao, por Draksler, Di Maria dhe Kavani. Largimi i Ibrahimoviçit nuk ka bërë që PSG të marrë fund!
Ishte ky trofeu i katërt radhazi i Kupës së Ligës nga Parisi, i shtati gjithsej, ndërsa klubi i milionerëve po lufton me një tjetër klub tashmë shumë të pasur si Monako. Skuadra e Principatës pësoi humbjen e parë të rëndë këtë edicion, dhe pikërisht nga një kundërshtar që ndoshta ishte nënvleftësuar disi. Trajneri Zhardim, me siguri, do të dijë të përballojë goditjen dhe të rikthejë ekipin në versionin fitues. Monako është në krye të ligës së parë franceze dhe në çerekfinale të Championsit, ndaj edhe ky edicion nuk mund të prishet vetëm nga një finale e humbur në Kupën e Ligës.
Sfidanti.al