Fillimi ishte spektakolar. Vëmendja le të ishte më parë tek suksesi kombëtar, ai i Francës në Botërorin e Rusisë, dhe në stadiumin “Park dë Prensis” u prezantua trofeu i Kupës së Botës. E mbajtën në duar tre kampionët francezë të Paris SG, Kilian Mbape, Presnel Kimpembe dhe Alfons Areola.
Më pas gjithçka u kthye në aktualitet, në ndeshjen e javës së parë të Ligës së Parë të Francës, ndaj Kaenit. Kampionët e nisën me sukses edicionin e ri, edhe pse u ndihmuan shumë nga gafat e portierit mik, Samba. Nejmar e Timoti Ueah shënuan pas gabimeve të tij, përkatësisht golin e parë dhe të tretë, ndërsa Adrien Rabio ishte autor i rrjetës së dytë në suksesin 3-0.
Një siguri më shumë ishte portieri Xhanluixhi Bufon, që u tregua në lartësinë e detyrës në ato pak raste kur PSG-ja pati nevojë për të. Pas suksesit të thellë 4-0 në Superkupë ndaj Monakos, skuadra e trajnerit gjerman Tomas Tuhel u shfaq siç duhet edhe në kampionat. Gjithsesi, vëmendja kryesore e tifozëve dhe e drejtuesve të klubit është tek Championsi, objektivi kryesor dhe ende i paarritshëm nga kampionia e Francës, pavarësisht nga superyjet që ka në përbërje.
Sfidanti.al